Xhon Kerju shumë shpejt do të veshë fanellën e Interit, pasi ka vendosur që të kthehet në fushën e blertë, duke lënë pas përkohësisht karrierën e aktorit që sapo kishte nisur. Sulmuesi 33 vjeçar norvegjez, pa skuadër që në korrikun e vitit të kaluar, po mendonte t’i futej kinematografisë, por tani do të bëhet pjesë e Interit deri në fundin e këtij sezoni.
Dëmtimi i Militos ka bërë që zikaltërit të mbeten pa një qendërsulmues të mirëfilltë dhe ashtu siç pranoi Morati, zgjidhja e vetme ishte kërkimi i një lojtari mes atyre që ishin pa kontrata, për të mbyllur këtë sezon.
Norvegjezi Kerju ishte alternativa më e mirë e mundshme, duke parë se të paktën është në gjendje të mirë fizike, pasi është stërvitur gjatë kohëve të fundit me disa ekipe profesioniste. Ai pritet të kryejë vizitat mjekësore gjatë javës së ardhshme, para se të firmosë kontratën nga e cila do të përfitojë 300 mijë euro deri në fund të këtij sezoni.
Ndërkohë, zikaltërit po mendojnë edhe për rinovimin e kontratës së Antonio Kasanos, duke e zgjatur atë deri në vitin 2016, me të njëjtat parametra financiarë, pasi sulmuesi italian do të vazhdojë të përfitojë 3 milion euro në vit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 February 2013 09:24