Rrugët e Andrea Stramaçionit dhe Interit tashmë janë ndarë, ndonëse mungon zyrtarizmi nga klubi zikaltër,. Sipas mediave italiane, që në natën e të enjtes, lojtari ka mësuar se nuk do të ulet më në pankinën e klubit zikaltër, i lajmëruar nga vetë drejtuesit, ndërsa është në pritje të një dëmshpërblimi për prishjen para kohe të kontratës.
Lamtumira e Stramaçionit nga zilkatërit ishte e paralajmëruar, sa më shuam që i afrohej fundit sezoni që sapo u mbyll në Itali, ku në drejtimin e Interit ai theu shumë rekorde, por nga ata negative, si numrin më të madh të humbjeve në një kampionat apo edhe renditjen në pozicionin e 9-të në klasifikim. Ndonëse pjesë e fajit është edhe e ndryshimit të brezave, të kombinuar me dëmtimet e njëpasnjëshme të lojtarëve kryesorë, pjesa më e madhe e përgjegjësisë ka rënë mbi trajnerin i cili shpesh ka dhënë mesazhe euforike, edhe atëherë kur dukej se ishte plotësisht e kundërta.
Mediat italiane bëjnë të ditur se ka qenë drejtori i klubit, Marko Branka, ai që i ka telefonuar një natë më parë trajnerit të ri duke i bërë të qartë se tashmë praktikisht duhej ta cilësonte veten të shkarkuar nga detyra.
Por me sa është mësuar, Stramaçioni ka mbetur shumë i zhgënjyer nga Morati dhe premtimet që i kishte bërë, aq sa ka bërë të ditur se nuk do të pranojë të largohet lehtësisht, pa marrë më parë një dëmshpërblim të majmë për ndërprerjen e njëanshme të marrëdhënies kontraktuale që zgjate deri në vitin 2016.
Me largimin e Stramaçionit, bëhet mëse i sigurt emërimi i Valter Mazarrit në pankinën e klubit zikaltër duke filluar që nga ditët e para të qershorit. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 18:43