Interi i ka lëshuar një ultimatum të qartë Uesli Shnajder, duke i bërë të ditur holandezit se duhej të rinovonte kontratën me modifikimet e kërkuara nga klubi nëse dëshironte të kthehej përsëri në fushën e lojës.
Lojtari është zyrtarisht i dëmtuar, por veprimet e fundit si ajo e mbylljes së adresës së Twitter me urdhër të zikaltërve, apo udhëtimet e shpeshta në Holandë, kanë vënë në dyshim qëndrimin e tij në radhët e ekipit italian. Deklarata e drejtorit sportiv, Marko Branka, duket se ka sqaruar përfundimisht se gjithçka ka të bëjë me të ardhmen e lojtarit dhe rinovimin e mundshëm të tij.
“Shnajder bën pjesë në historinë tonë, por aktualisht po diskutojmë një modifikim kontraktual. Po i japim atij kohën e duhur për të vlerësuar propozimet që i kemi bërë. Klubi dhe trajneri janë dakord me këtë gjë, deri sa të mos gjendet një akord me lojtarin, nuk do të ketë një konfirmim teknik”, ishte deklarata bombë e drejtuesit të Interit.
“Kjo do t’i mundësojë trajnerit t’i japë më shumë hapësirë lojtarëve të tjerë. Është një situatë që duhet shqyrtuar sipas qartësisë së projektit të të ardhmes së klubit. Kjo është një bisedë serioze dhe jemi treguar të duruar pasi kemi një lloj raporti të veçantë me Ueslin, gjë që jam e sigurt është e njëjtë edhe sipas këndvështrimit të tij. Jemi të duruar, të qetë, në pritje të evoluimit të situatës”, shpjegoi Branka.
Me sa duket, Interi i kërkon lojtarit jo vetëm të rinovojë, por edhe të ulë pretendimet financiare të kontratës aktuale, të kundërt do ta shesë futbollistin ose do ta dënojë atë me qëndrimin në tribunë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 November 2012 10:56