Inter është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Italisë duke mundur Veronën me rezultatin 2-0, por për këtë fitore duhen falënderuar jo vetëm autorët e golave, Kasano e Guarin, por edhe sulmuesi Rodrigo Palacio, i cili shkëlqeu në rolin e portierit.
Interi po shkonte qetësisht drejt fitores, falë golave të shënuar në fillimin pjesës së dytë nga Kasano e Guarin. Por 15 minuta para fundit të takimit, portieri Kastelaci u dëmtua dhe Stramaçioni kishte kryer të tre zëvendësimet. Atëherë rolin e portierit e mori përsipër Palacio, i cili shkëlqeu jo vetëm me sigurinë e ndërhyrjeve të tij, por edhe me pritje vendimtare duke mos lejuar ekipin kundërshtar të vinte në diskutim këtë kualifikim në turin tjetër të turneut.
“Tani kemi një alternativë më shumë për portën”, ishte batuta e Stramaçionit rreth paraqitjes së argjentinasit në këtë rol të ri, ndërsa vetë Palacio ka zbuluar se në fillimet e tij kishte qenë portier.
“Në fillim ishte Kivu që kërkoi të hynte në portë, por pastaj trajneri vendosi që të ishim unë apo Alvarez që të merrnim këtë pozicion për të mos prishur ekuilibrin e skuadrës. Duhet ta pranoj se bëra një pritje të madhe ndaj gjuajtjes së Karroza. A kisha luajtur më parë në portë? Po, kur kam qenë fëmijë”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 December 2012 10:06