Xhuzepe Rosi mund të jetë lojtari i të ardhmes për Interin. Sulmuesi i kombëtares italiane është objektivi kryesor i merkatos verore të zikaltërve, nga ku do të fillojë edhe rinovimi i një skuadre që ka mbyllur ciklin me “veteranët” aktualë.
Drejtuesit e skuadrës së Inter janë interesuar që tani për lojtarin dhe kanë mësuar se vlera e kartonit të tij është rreth 15 milionë euro. Lojtari i kombëtares italiane, që po riaftësohet nga një dëmtim në ligament, është gati të kthehet në Itali, ndërsa ka pranuar se ka patur kontakte edhe me skuadrën e Romës.
Vijareal duket se është dorëzuar dhe e di se do të humbasë futbollistin gjatë merkatos verore, ndërsa vlera e lojtarit ka rënë dukshëm në krahasim me verën e kaluar. Atëherë, “nëndetësja e verdhë” i rezistoi ofertës prej 20 milionë eurosh të Juventusit, duke kërkuar 30 milionë, tani do të kënaqet edhe me gjysmën për një futbollisti i cili ka qëndruar jashtë fushës për të gjithë sezonin.
Prandaj ka fillua një duel i ethshëm mes Interit dhe Romës për një prej talenteve italianë më të mirë në qarkullim. Sipas mediave italiane, verdhekuqtë ishin në avantazh, por ditët e fundit ka qenë vetë Morati që ka filluar kontaktet me menaxherin e lojtarit, të cilin shpreson që ta bëjë yllin e ri të skuadrës, nga i cili do të fillojë i gjithë projekti i kthimit të Interit të madh. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 March 2012 13:26