Projekti Stramaçioni nuk po jep frytet e shpresuara te Interi, për të cilin mund të flitet se është në krizë të plotë. Një fakt të tillë e ka pranuar edhe vetë trajneri i zikaltërve, i cili ka bërë thirrje për ndryshim, në të kundër rrezikohet gjithçka e mirë e bërë deri tani.
“Humbja me Sienën ishte e rëndë dhe e shëmtuar, duhet të na bëjë të reflektojmë. Por nuk dua të gjej alibi, kundërshtarët kishin më shumë uri se ne dhe prandaj fituan. Ne aktualisht jemi në një udhëkryq, mund të rrimë të kërkojmë justifikime, apo të kthehemi në fushë duke siguruar rezultate. Jemi gjithmonë të njëjtët që për një periudhë ishim një pikë larg kryesuesve të kampionatit. Tani duhet të përmbysim këtë tendencë negative”, tha Stramaçioni.
Megjithatë, shifrat dënojnë skuadrën zikaltër që pikërisht pas ndeshjes me Juventusin në transfertë, kur hodhi pretendimet për titull, ka ecur me një ritëm prej skuadre që lufton për mbijetesë.
Interi ka marrë vetëm 6 pikë në 7 ndeshjet e fundit, në vitin 2013 është siguruar vetëm një fitore kundër Peskarës, ndërsa kanë ardhur 5 humbje në 6 ndeshjet e fundit jashtë fushe. Morati është i irrituar me situatën në klub, por për momentin, Stramaçioni nuk rrezikon, edhe pse në media kanë filluar të qarkullojnë emrat e zëvendësuesve të mundshëm për sezonin e ardhshëm si Mazarri apo Simeone. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 February 2013 16:17