Sezoni i Inter zyrtarisht nuk ka më asnjë kuptim. Zikaltërit vetëm dy vite më parë ishin dominues të Italisë dhe Evropës, por këtë sezon do ta mbyllin pa trofe dhe me sa duket edhe pa marrë pjesë në Kupat e Evropës. Goditja vendimtare u ka ardhur nga eliminimi në Ligën e Kampioneve, ku pavarësisht fitores 2-1 ndaj Olimpikut të Marsejës, gjithçka merr fund për skuadrën e drejtua nga Ranieri e cila ishte mundur 1-0 në takimin e parë në Francë dhe që ka dalë nga aktiviteti për shkak të rregullit të golit jashtë fushe.
Përpara 70 mijë tifozëve që mbushnin shkallët e stadiumit “San Siro”, Inter ka kërkuar që në fillim që të gjejë një gol të shpejtë për të rihapur kualifikimin. Shnajder e Milito provojnë të vënë në vështirësi portierin Mandanda por ky i fundit kundërpërgjigjet me devijime spektakolare. Ndonëse zikaltërit dominojnë, ata e kanë të vështirë të shfaqen rrezikshëm dhe deri në minutën e fundit të pjesës së parë thuajse nuk arrijnë të gjuajnë më në portën kundërshtare.
Me fillimin e pjesës së dytë, kontrollin e lojës e merr Marseja, që fillon të shohë gjithnjë e më shumë nga anët e Xhulio Sezar. Sikur të mos mjaftonte kjo, Ranieri detyrohet të zëvendësojë Shnajderin e dëmtuar, i cili lë fushën e lojës bashkë me Forlan për t’i bërë vend Pacini e Obi. Duke parë se tabloja nuk ndryshon dhe janë francezët që shfaqen më rrezikshëm, trajneri italian hedh në fushë edhe Kambiason në vend të Poli në minutën e 73-të. Vetëm dy minuta më vonë ndodh pikërisht ajo që pritej nga thuajse të gjithë tifozët në stadium, vjen goli i Interit. Në zhvillimin e një goditje nga këndi është Diego Milito që përfiton nga një rrëmujë në zonë për të dërguar topin në rrjetë e për të rihapur kualifikimin për ekipin vendas.
Por kur dukej se gjithçka po shkonte drejt kohëve shtesë, në minutën e 92-të, Olimpik Marseja gjen golin e barazimit me anë të Brandao, i cili përfiton nga një pasim i gjatë i portierit Mandanda për të kaluar Lusion e për të mposhtur me një gjuajtje të fortë Xhulio Sezar.
Interi e sheh përfundimisht veten jashtë Ligës së Kampioneve por në këtë natë emocionesh ka forcën e karakterit për të reaguar dhe pas një minute është Pacini që fiton 11-metërsh pas ndërhyrjes së Mandandas në zonë ndaj tij. Sulmuesi italian gjuan vetë nga pika e bardhë duke realizuar, por ky gol vlen vetëm për statistikë pasi gjyqtari vërshëllen për përfundimin e ndeshjes duke shuar përfundimisht ëndrrat e zikaltërve dhe duke i dhënë një kualifikim të merituar marsejezëve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 March 2012 23:53