Interi po vazhdon serinë e spastrimeve me qëllimin për të rinuar përbërjen e skuadrës. Pas Lusio dhe në pritje të largimit të Forlan, zikaltërve pritet t’u japë lamtumirën edhe mbrojtësi Maikon, i cili duket se është pranë një akordi me Çelsin.
Londinezët kanë bërë një ofertë më të mirë se ajo e Paris Sent Zhërmen dhe ajo e Real Madrid, ndërsa mendohet se kjo marrëveshje do të mbyllet brenda ditëve të para të javës së ardhshme.
Maikon është 31 vjeç, i përfundon kontrata ekzistuese me Interin pas një viti dhe përfiton 8 milionë euro në sezon, tre arsye mëse të mjaftueshme që zikaltërit të pranojnë me kënaqësi oferta për lojtarin, ndonëse ai ka qenë një ndër figurat përfaqësuese të skuadrës në vitet e fundit.
Për futbollistin mendohej se kishte shfaqur interesim edhe Napoli, me presidentin De Laurentis që i kishte telefonuar homologut Morati për të mësuar kushtet e një transferimi të mundshëm.
Por Çelsi është treguar më e shpejtë, falë insistimit të trajnerit Di Mateo, duke bërë gati menjëherë një ofertë për klubin italian dhe vetë lojtarin, ndërsa tani po diskutohen vetëm detajet e kontratës që do të firmoset në ditët në vazhdim. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 July 2012 08:40