Xhon Kerju nuk do të jetë një futbollist i Interit, ndaj mund të vazhdojë qetësisht karrierën e tij si aktor. Vendimi është marrë nga skuadra zikaltër pasi sulmuesi 33 norvegjez ka dështuar testimet fizike, duke u shfaqur jashtë formë dhe me probleme fizike që do të bënin të pamundur aktivizimin tij për një periudhë të gjatë.
Lojtari mendohej se do të vishte fanellën zikaltër deri në fund të këtij sezoni, pasi Interi ishte në kërkim të një qendërsulmuesi për të zëvendësuar të dëmtuarin Milito. Por testimet fizike të Kerju, pa ekip që në korrikun e vitit të kaluar, nuk kanë shkuar siç pritej dhe Interi i ka bërë të qartë atij se ishte e pamundur të nënshkruhej kjo kontratë.
Por zikaltërit nuk kanë hequr dorë nga ideja e afrimit të një sulmuesi, ndërsa po bëjnë gati një ofertë të bujshme, duke tentuar të kthejnë Rud Van Nistelroin në futbollin aktiv. Ish-sulmuesi holandez, u largua nga aktiviteti në majin e vitit të kaluar, por zikaltërit mendojnë se ai mund të jetë në formë sa për të ndihmuar skuadrën në këtë sezon dhe në atë pasardhës. Për këtë arsye, dje i kanë bërë të ditur menaxherit të tij se janë gati t’i ofrojnë një kontratë 15 mujore, nëse kalon testet fizike.
Këto veprime në merkato të Interit kanë bërë që shumëkush të tallet me klubin zikaltër, edhe vetë tifozët e kësaj skuadre. Në faqet e internetit të grupeve të tifozëve janë kritikuar lëvizjet e klubit dhe drejtuesve të merkatos, duke i cilësuar si qesharake ofertat që po bëhen për futbollistë që tashmë nuk kanë thuajse asnjë vlerë sportive. “Tani kuptohet pse Mradona erdhi në Itali, ai do të jetë në provë të Interi”, është një nga batutat që ka qarkulluar më shpesh në internet mes vetë tifozëve zikaltër gjatë ditës së fundit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 28 February 2013 09:56