Andres Iniesta mendon se do të ishe e padrejtë që të pretendohej që Tito Vilanova të fitonte tre trofe që në vitin e tij të parë te Barcelona, ashtu siç bëri Pep Guardiola. Sipas mesfushorit, trajneri i ri nuk ka nevojë ta krahasojë veten me paraardhësin e tij.
“Ky është shansi i tij, por ne nuk mund të pretendojmë se ai është një Guardiola tjetër. Çdo trajner ka stilin dhe karakteristikat e tij personale”, ishin fjalët e mesfushorit.
“Ne nuk mund të presim nga ai të fitojë gjithçka në vitin e tij të parë. Të gjithë lojtarët thjesht duhet ta mbështetin dhe ta ndihmojnë”.
Futbollisti pranoi se të gjithë lojtarët ishin më të bashkuar se kurrë pwr të kërkuar lamtumirën më të mirë të mundshme për Pep Guardiolën në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Atletik Bilbao të premten.
“Opinioni i lojtarëve për Guardiolën dhe e anasjellta, nuk do të ndryshojnë nëse fitojmë apo humbasim, pasi ndjenjat tona ndaj njëri-tjetrit janë të qarta. Por sigurisht që të gjithë dëshirojmë që Guardiola të largohet me buzëqeshje”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 May 2012 08:03