Andres Iniesta ka pranuar se ka mbetur shumë i çuditur nga mënyra se si Zhoze Murinjo ka trajtuar Iker Kasijas në këtë sezon. Portieri që mban edhe shirtin e kapitenit te Real Madrid e kombëtarja e Spanjës, është lënë në stol që nga momenti kur në skuadër ka ardhur Diego Lopez, i cili është bërë zgjedhja e parë e trajnerit portugez.
Sipas mediave spanjolle, Murinjo dhe Kasijas kanë përplasje të forta mes tyre prej dy vitesh dhe kjo ka sjellë acarimin e marrëdhënies në një pikë të atillë sa praktikisht përveç anës profesionale, ata nuk komunikojnë absolutisht me njëri-tjetrin.
“Nga kjo distancë nuk e kupton situatën, sidomos duke pasur parasysh atë që përfaqëson Iker dhe atë që ka përfaqësuar gjithmonë”, tha Iniesta për shokun e tij në kombëtaren spanjolle. “Këtu nuk e kam fjalën vetëm për faktin se nuk luan, por edhe për gjërat që dëgjon apo sheh të shkruhen në shtyp. Kjo situatë është shumë e vështirë”.
“Diego Lopez po luan shumë mirë dhe është një lojtar i shkëlqyer. Por unë këtu nuk e kam fjalën për situatën sportive, e përsëris që po flas për ato që dëgjoj”, tha Iniesta duke iu referuar komenteve të fundit të Zhoze Murinjos, i cili ndonëse nuk përmendi emra, tha se kishte probleme me lojtarët që “mendojnë se janë mbi të tjerët”. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 May 2013 19:43