Një batutë e bërë nga komentatorët francezë për ndeshjen miqësore të futbollit mes Francës dhe Japonisë ka shkaktuar një incident të mirëfilltë diplomatik mes dy vendeve.
Faji është i gazetarit të televizionit “France 2”, Loran Rukuie, i cili duke dashur t’i bënte elozhe portierit japonez Eixhi Kauashima për pritjet e tij të shkëlqyera në fitoren 1-0 të aziatikëve, e ka përfaqësuar me një montazh ku ai shfaqet me katër duar. “Kjo është një mrekulli e mutacionit gjenetik në Fukushima”, ishte batuta e tij, që synonte të krijonte pak çaste humori në studio, por ka rezultuar krejtësisht e kundërta.
Në Japoni kanë shpërthyer protestat, aq sa për këtë temë ka folur edhe Zëvendës-kryeministri japonez, Osamu Fuxhimura.
“Kjo batutë është krejtësisht e papërshtatshme. I kemi dërguar një protestë formale televizionit “France 2”. Ky montazh ka goditur personat e përfshirë në katastrofë”.
Jo më pak i ashpër ka qenë Ministri i Sportit, Makiko Tanaka. “E gjithë kjo është mungesë ndjeshmërie. Shumë persona janë goditur nga katastrofa, nuk e kuptoj se si mund të qeshet me një gjë të tillë”, tha ai, duke kujtuar se nga tërmeti dhe cunami që e shoqëroi, në Japoni kanë humbur jetën rreth 18 mijë persona. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 October 2012 16:01