Miliarderi Klaus-Mikael Kuhne ka shprehur dëshirën që tifozët e Hamburgut të jenë pjesë e financimit për transferimin e mundshëm të Rafael Van Der Vart nga Totenhemi. Sipas asaj që raportojnë media të ndryshme, lojtari 29 vjeçar është pranë largimit nga ekipi anglez dhe Hamburgu është mes klubeve të interesuara për të siguruar shërbimet e tij.
Kuhne, një tifoz i Hamburgut dhe aksioner në këtë skuadër, beson se kthimi i tij te ekipi gjerman është i mundur për lojtarin i cili ka veshur 112 herë fanellën e kësaj skuadre në periudhën 2005-08, ndonëse për blerjen e tij dhe rrogën e lartë që kërkon mund të nevojiten rreth 35 milionë euro.
“Nuk dua të paguaj unë pjesën më të madhe të parave për Van Der Vart, por kjo nuk është çështja kryesore. Sugjerimi im është për 60 mijë antarët e klubit: nëse ata do të bëheshin bashkë dhe do të shpenzonin mesatarisht 100 euro për këtë çështje, do të mblidhej një shumë e konsiderueshme çdo vit. Edhe nëse do të arrinim të mobilizonim vetëm gjysmën e këtyre anëtarëve, përsëri do të siguronim një shumë mjaft interesante”, tha Kuhne. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 16:01