Gazeta suedeze Aftonbladet, ka publikuar një pjesë të librit autobiografik të sulmuesit të Milanit, pikërisht atë pjesë ku bomberi flet për periudhën e kaluar në radhët e katalanasve dhe problemet me teknikun Pep Guardiola.
Ibrahimoviç ka shpërthyer në një diskutim me trajnerin duke i thënë: “Je frikacak. E bën në brekë para Mourinhos!”
Origjina e konfliktit ka qenë ndryshimi i pozicionit të Messit, të cilin Guardiola e zhvendosi në qendër të sulmit duke i rezervuar stolin gjigandit suedez. Në maj të vitit 2010, në një ndeshje ndaj Villarreal, Ibra u zëvendësua 5 minuta para përfundimit të takimit dhe ofendoi rëndë Guardiolën.
“E humba fare dhe e ofendova rëndë. I thashë që e bënte në brekë para Mourinhos dhe shumë gjëra të tjera më të rënda se kaq”, shkruan suedezi.
“Tek dhomat e zhveshjes së Barcelonës të gjithë rrinin urtë dhe bindeshin. Messi, Xavi dhe Iniesta ishin si ata nxënësit e shkollës që nuk kundërshtojnë kurrë mësuesin. Më pas, Messi kërkoi një ndryshim roli në fushë dhe aty ndryshoi gjithçka. Luhej vetëm për të dhe këtë nuk mund ta pranoja”, thekson Ibra.
“Jag ar Zlatan Ibrahimovic (Unë jam Zlatan Ibrahimovic), libër i shkruar me ndihmën e shkrimtarit David Lagercrantz, do të dalë në shitje në datën 15 nëntor në Suedi. (Transmetuar nga Ekonomisti)
Thursday, 03 November 2011 17:16