Zlatan Ibrahimoviç është i bindur se PSZH nuk është ende në gjendje për të konkurruar si e barabartë me klubet e mëdha evropiane, pasi i mungon eksperienca në nivele të larta. Sulmuesi suedez e ka krahasuar këtë situatë me atë të Mançester Sitit një vit më parë, ku skuadra angleze nuk arriti të kalonte fazën në grupe të turneut, edhe pse në Angli arriti të shpallej kampion.
“Nuk jemi ende në një nivel me Barcelonën, Juventusin apo Interin. Ende nuk jemi mësuar me fitoren e titujve. Kjo është ajo që na mungon në këto momente, pak eksperiencë në nivelet më të larta”, tha Ibra për “Eurosport”.
“Mançester Siti u eliminua në fazën e grupe të sezonit të kaluar, por kjo nuk është se i ktheu ata në një skuadër të dobët. Ata thjesht nuk ishin mësuar që të luanin në Ligën e Kampioneve”.
Sulmuesi ka zbuluar më pas se idhulli i fëmijërisë së tij ka qenë braziliani Ronaldo, ndërsa një tjetër emër që ka ndjekur me pasion ishte ai i Marko Van Basten.
“Ronaldo ishte i vetmi lojtar që më bënte të ndezja televizorin dhe të shihja futboll. Van Basten është një tjetër legjendë dhe të krahasohem me të është një kompliment shumë i madh që më bëhet”, tha lojtari.
Ibrahimoviç do të luajë të martën ndeshjen e tij të parë në Ligën e Kampioneve me Paris Sent Zhërmen kur do të vihet përballë Dinamo Kiev. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 September 2012 15:01