Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme nga ana e Juventusit, Zlatan Ibrahimoviç po bëhet gati të kthehet në radhët e skuadrës bardhezi, si “dhuratë” për titullin kampion. Mediat italiane e cilësojnë thuajse të përfunduar marrëveshjen, ndërsa mbetet për t’u parë vetëm kosto financiare e operacionit për blerjen dhe kohëzgjatjen e kontratës.
Pavel Nedved, mik i ngushtë me sulmuesin dhe menaxheri Mino Raiola u kanë bërë të qartë drejtuesve të Juventusit se Ibra nuk do të bëjë si VIP pas kthimit në Torino, por do të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të ri të Antonio Konte, i cili tani ëndërron që të ndërtojë një skuadër të denjë për të fituar Ligën e Kampioneve, pasi ka vendosur përsëri hegjemoninë në kampionatin italian.
Cilësia e padiskutueshme e sulmuesit suedez, bashkë me aftësitë e Fernando Lorente të siguruar prej kohësh, bëjnë që Juventus të ndërtojë një nga sulmet më të forta në kampionatet evropiane, pa harruar alternativat e jashtëzakonshme që mund të ketë në dispozicion si Vuçiniç e Kualjarela.
Juventusi ka bërë të qartë se për blerjen e tij nuk dëshiron të shpenzojë më shumë se 20 milion euro, para të cilat mund të sigurohen nga shitja e Matri dhe Xhovinko, lojtarë që kanë përfunduar jashtë planeve të skuadrës me rindërtimin e sulmit.
Për sulmuesin bëhet gati një kontratë e re trevjeçare me 8 milion euro në sezon, që teorikisht janë më pak sesa fiton aktualisht te PSZH, por që mund të ishte rroga e tij në të ardhmen te parisienët kur të hyjë në fuqi ligji i ri i taksave mbi pasurinë në Francë. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 April 2013 15:03