Zlatan Ibrahimovic është i sigurt se PSZH do të fitojë Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm nëse Devid Bekam do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj skuadre. Kontrata e mesfushorit anglez përfundon në qershor, por sulmuesi suedez është i bindur se ai do të nënshkruaje një marrëveshje të re dhe do të ndihmojë klubin drejt sukseseve ndërkombëtare.
“Ne do të fitojmë Ligën e Kampioneve dhe Devid do të jetë pjesë e atij suksesi”, ishte deklarata e guximshme e sulmuesit suedez për “Sky Sports”. “Pronarët duan që ai të qëndrojë, trajneri dëshiron që ai të qëndrojë, lojtarët duan që ai të qëndrojë dhe kjo është arsyeja pse unë jam i sigurt se ai do të firmosë edhe për një sezon tjetër gjatë kësaj vere”.
“Devid është një profesionist i vërtetë dhe ai është i zhgënjyer sa të gjithë të tjerët për eliminimin nga Liga e Kampioneve. Por ai beson në këtë projekt që ka nisur klubi dhe kjo është arsyeja pse ai do të vendosë të qëndrojë këtu”, tha Ibrahimoviç që më pas komentoi edhe eliminimin përballë Barcelonës vetëm falë rregullit të golit në fushën kundërshtare, pasi dy ndeshjet kundër katalanasve përfunduan në barazime.
“Sigurisht që ishte zhgënjyese që u eliminuam nga Barcelona pasi në të dy ndeshjet menduam se kishim bërë mjaftueshëm për t’i mundur. Ana pozitive është se Evropa e parë se çfarë jemi ne, se nuk jemi vetëm një klub i pasur që merr pjesë në turne, por se mund të konkurrojmë me çdo skuadër në Evropë”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 April 2013 10:04