“Karlo Ançeloti është më i mirë se Murinjo dhe nëse ai do të largohet, nuk di të them nëse do të vazhdoj të qëndroj te PSZH”. Këto janë fjalët me të cilat Zlatan Ibrahimoviç ka rritur alarmin në radhët e skuadrës parisiene duke bërë të qartë se mund t’u japë lamtumirën vetëm pas një sezoni të kjo skuadër.
“Dua të vazhdoj të fitoj me të, mendoj se ka bërë një punë fantastike dhe nuk dua që të largohet. Ai është unik”, ishte deklarata e suedezit që në fakt është dukur më shumë si një ftesë indirekte ndaj Real Madrid, që përveç trajnerit italian, të merrte edhe atë në radhët e ekipit spanjoll.
“Nuk dua që Ançeloti të largohet, PSZH ka nevojë për një trajner që di të menaxhojë një skuadër ndërkombëtare. Nuk kam pasur kurrë një trajner si ai, jam mësuar me disiplinën e Kapelos dhe Murinjos, por Ançeloti është ndryshe, më i durueshëm dhe vendos çdo lojtar para përgjegjësisë”, ishte komenti i Ibrahimoviç pas ndeshjes së fundit të kampionatit në Francë, në suksesin 3-1 ndaj Lorient ku ai shënoi golin e tij të 30-të duke vulosur një sezon të shkëlqyer në planin personal.
Megjithatë, pas ndeshjes ishte vetë trajneri Ançeloti që u mundua të qetësonte disi situatën e krijuar të PSZH.
“Ibrahimoviç nuk ka kërkuar që të shitet. Marrëdhënia që kam me të është e mirë ashtu si me të gjithë lojtarët e tjerë të këtij klubi”, ishte komenti i trajnerit italian që për vete vazhdon të insistojë se dëshiron të largohet drejt Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Monday, 27 May 2013 10:55