Zlatan Ibrahimoviç është një talent i padiskutueshëm i futbollit botëror, por edhe një personazh që shpesh kthehet në problem brenda dhomave të zhveshjeve për shkak të arrogancës së tij të tepruar.
Gjesti i radhës ka ardhur para ndeshjes kundër Trua, të fituar 4-0 nga PSZH, ku ai për të nxituar skuadrën, ka përdorur një batutë aspak të këndshme. “Edhe djali im luan më mirë se ju”, ishte fraza me të cilën Ibra iu drejtua shokëve të tij para fillimit të takimit, duke bërë që atmosfera të tensionohej dhe shumë futbollistë të shprehnin hapur pakënaqësinë ndaj tij te drejtuesit.
Sipas “Le Parisien”, suedezi e ka kuptuar gabimin dhe ka kërkuar falje para ekipit, pas një mbledhje të organizuar nga trajneri Ançeloti që është munduar të qetësojë situatën e krijuar. “E kam tepruar, më vjen shumë keq”, ishte komenti i futbollistit që ka shpjeguar se batuta ishte bërë për të nxitur shokët e skuadrës dhe jo për t’i fyer ato.
Por me sa duket, futbollisti e ka kuptuar se shumë prej lojtarëve të PSZH nuk e durojnë që tani, ndaj ka lënë të kuptohet se ekziston një mundësi shumë e vogël që ai të largohet drejt një kampionati tjetër. Hipoteza e bujshme është publikuar në faqet e gazetës suedeze “Aftonbladet”, e cila ka si burim një njeri të afërt me Roberto Mançinin që planifikon transferimin e tij te Mançester Siti.
“Mançini e di që diçka ka ndryshuar të skuadra e tij. Ai do një sjellje fitimtari dhe Ibra e përfaqëson më së miri një gjë të tillë. Roberto e ka admiruar gjithmonë si futbollist, ndërsa edhe Ibra e di që është shumë i fortë për të luajtur në kampionatin francez”, shkruhet në faqet e kësaj gazete duke hapur një hipotezë shumë të bujshme të merkatos. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 November 2012 17:37