Klas Jan Huntelar ka rinovuar kontratën e tij me klubin e Shalke, duke zgjatur qëndrimin te kjo skuadër deri në vitin 2015. Huntelar e publikoi vendimin e tij në adresat personale në Twitter dhe Facebook, për të njoftuar personalisht të gjithë tifozët dhe për t’i dhënë fund spekulimeve për një largim të mundshëm nga skuadra gjermane.
“Dua të falënderoj të gjithë tifozët e Shalke për durimin e tyre gjatë kohëve të fundit. Që nga momenti i parë e kam ndjerë veten shumë mirë në këtë klub me të gjithë tifozët. Besoj se mund të arrijmë gjëra shumë të bukura si në Bundesligë, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi kaq të madh”, ishin fjalët e sulmuesit holandez.
E ardhmja e lojtarit ishte vënë në dyshim pasi ai nuk kishte rinovuar ende kontratën me klubin e tij, ndonëse ajo përfundonte në fund të këtij sezoni. Por zgjatja e saj për dy vite të tjera, i ka mbyllur përfundimisht të gjitha diskutimet, edhe pse skuadra si Arsenali apo Interi po ndiqnin me vëmendje situatën.
Sulmuesi 29 vjeçar iu bashkua Shalkes në vitin 2010, pasi u transferua nga Milani për shumën e 15 milionë eurove. Në sezonin e kaluar, ai shënoi 48 gola në po aq ndeshje të luajtura me ekipin gjerman, përfshirë 29 golat që i dhanë titullin e golashënuesit më të mirë në Bundesligë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 13:41