Sulmuesi brazilian Hulk mendon se do të ishte diçka shumë e mirë nëse Neimar do t’i bashkohej atij te Zenit Shën Petersburg në të ardhmen. Megjithëse ylli i ri i futbollit brazilian ndiqet nga klubet më të njohura në botë dhe përflitet se ka një parakontratë me Barcelonën, Hulk mendon se lëvizja drejt Rusisë është një alternativë mëse e dobishme për të ardhmen.
“Mendoj se vetëm ai e di se kur është e nevojshme të ndryshojë klubin. Unë nuk mund të zgjedh por Neimar. Vetëm ai e di se ku dëshiron të shkojë, por do të ishte diçka shumë e mirë të nëse do të vinte këtu te Zenit”, tha Hulk që më pas kundërshtoi të gjithë ata që kritikojnë futbollistin e ri.
“Futbollistët janë gjithmonë pre e kritikave, por e gjithë bota e di se sa i mirë është Neimar dhe cilësitë që ka ai”.
Ndërkohë, ish-sulmuesi brazilian Ronaldo ka nxitur përsëri lojtarin që të largohet sa më shpejt nga Brazili në mënyrë që të bëhet futbollisti më i mirë në botë.
”Neimar është një futbollist i shkëlqyer dhe do të jetë një nga më të mirët në botë në momentin që do të vendosë të shkojë në Evropë. Ai ka shumë talent për të limituar veten vetëm me këtë eksperiencë në Brazil. Ai gaboi që nuk iku që më parë nga Santos, pasi tashmë do të ishte adaptuar me futbollin evropian, do të kishte më shumë eksperiencë dhe do të ishte në gjendje të udhëhiqte kombëtaren tonë”, tha Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 April 2013 10:22