Portieri i Interit, Hulio Sezar, ka përsëritur se do të vazhdojë të veshë fanellën e kësaj skuadre edhe në sezonin e ardhshëm.
“Nuk ka asgjë të vërtetë rreth zërave për largimin tim nga Inter, por është e sigurt që nuk largohem, nuk kam thënë asnjëherë se do të iki. Nuk ka asnjë kërkesë zyrtare transferimi nga Interi, unë kam një kontratë deri në vitin 2014 dhe dëshiroj që ta respektoj”.
“Që në momentin kur kam ardhur këtu, kam përjetuar vetëm momente të bukura, këtë vit na eci keq por tifozë e dinë forcën tonë. Kur mësohesh me triumfe, bëhet e pashmangshme kërkesa për të fituar, tani duam përsëri “triplete” me Europa League dhe Kupën e Italisë, e cila ishte një kupë kot kur erdha unë këtu, por tani duan të gjithë ta fitojnë…”
Më pas, Hulio Sezar ka folur edhe për merkaton e klubit zikaltër, duke vlerësuar lëvizjet që janë duke u bërë për të përforcuar ekipin.
“Jam i lumtur për ardhjen e Palasios, është një lojtar shumë i fortë dhe do të gjejë një ambient të shkëlqyer për të. Laveci është një lojtar i fortë dhe shpresojmë të vijë të na ndihmojë të zhvillomë një vit ndryshe nga ai i kaluari. Jam i lumtur për konfirmimin e Stramaçionit. Shnajder? Nuk di të them nëse do të qëndrojë apo jo, duhet të pyetni atë”, deklaroi portieri brazilian i Interit, i cili nuk ka pranuar t’u tregojë gazetarëve se çfarë qëllimi kishte provokimi që i kishte bërë Zlatan Ibrahimoviç në derbi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 26 May 2012 12:02