Hulio Cesar ka vendosur të qëndrojë te Interi, ndonëse kjo do të thotë se rrezikon vendin si titullar në radhët e kësaj skuadre që sapo bleu Handanoviç nga Udineze për 11 milionë euro.
“Kam një kontratë deri në vitin 2014 dhe mendoj se do të qëndroj. Në kontratën time nuk është e shkruar se duhet të jem titullar 100%, do të luftoj për vendin në formacion pasi do të jemi 3 portierë të fortë”, ishin fjalët e tij pas blerjes së portieri slloven që ka shkëlqyer në Itali në sezonet e fundit.
Deklarata e lojtarit ka gjetur të papërgatitur klubin zikaltër, që mendonte se do të mbyllte kontratën ekzistuese me të, duke i kaluar futbollistit edhe 4 milionë euro, nëse nuk gjendej një blerës për brazilianin.
Ai ka hedhur poshtë edhe zërat që e shihnin të kalonte te rivalët e Milanit. “Nuk ka asgjë zyrtare. Të gjithë po më telefonojnë, tifozët më ndalin në rrugë, por me Milanin nuk ka asgjë. Largimet? I uroj fat Lusios dhe më vjen shumë keq që nga Inter po largohen të gjithë miqtë e mi brazilianë”, deklaroi portieri i zikaltërve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 July 2012 08:02