Roi Hodgson mendon se drejtuesit e Premier League në Angli kanë dëmtuar rëndë shanset e kësaj kombëtareje për të marrë pjesë në Botërorin 2014. Sipas tij, “sabotimi” ka ardhur nga fakti se në javët e para të kampionatit janë vënë dy përplasje skuadrash të mëdha që duhej të ishin evituar para ndeshjeve të rëndësishme të eliminatoreve në shtator.
Arsenali do të luajë me Totenhemin në derbi ndërsa Liverpuli do të presë në fushën e vet Mançester Junajtid në fundjavën para grumbullimit për ndeshet ndaj Moldavisë dhe Ukrainës. Hodgson dhe shefi ekzekutiv i Federatës Angleze, Aleks Horn, zhvilloi dy takime me zyrtarët e Premier Ligës, duke iu lutur atyre që të mos organizonin ndeshje mes klubeve të mëdha para eliminatoreve të Kupës së Botës. Por kjo dëshirë as që është marrë në konsideratë, siç e tregon më së miri kalendari i ndeshjeve i bërë publik dje.
Në dy ndeshjet e përmendura më sipër, ku rivaliteti është historik, janë rreth 20 lojtarë që mund të grumbullohen nga Hodgson dhe ai mendon se pas përballjeve të tilla, uniteti në kombëtare mund të pësojë një goditje të rëndë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 June 2013 09:17