Trajneri i Anglisë, Roi Hodgson, beson se fitorja e një tjetër Kupe Bote në Brazil nuk është e pamundur për ekipin që ai drejton.
“Kuptohet që nuk jemi mes favoriteve, por duhet të hiqet fjala “e pamundur” në futboll. Ka shumë ngjarje në futboll që cilësoheshin të pamundura por njerëzit ia kanë dalë mbanë”.
“Dukej e pamundur që Çelsi të fitonte Ligën e Kampioneve, sidomos pasi kishin ndërruar trajnerin në mes të sezonit, por ato ia dolën mbanë. E bënë një gjë të tillë duke mundur Barcelonën dhe Bajern Mynih, dy nga ekipet më të mira në Evropë, ndaj mendoj se ëndrrat duhet të mbahen gjithmonë gjallë”.
Anglia arriti në çerekfinalet e Euro 2012, ku u mund me penallti nga Italia, ndërsa mungon në gjysmëfinalet e një turneu madhor që nga Euro 1996 që e organizoi vetë. Fituesit e Kupës së Botës në vitin 1966, aktualisht gjenden në vendin e dytë në Grupin H, dy pikë pas Malit të Zi. Por Hodgson mendon se mund t’ia dalë mbanë, falë numrit të madh të lojtarëve të rinj që kanë shpërthyer në vitet e fundit.
“Ne kemi shumë lojtarë cilësorë, mund të përmendësh 30-40 lojtarë të tillë pa shumë probleme dhe mes tyre ka të rinj që kanë një të ardhme të shkëlqyer. Mendoj se problemi kryesor është nëse figurat kryesore të kombëtares i ke në dispozicion në kohën e duhur. A kemi ne konkurrencë të mjaftueshme në pozicionet e rëndësishme në skuadër, kjo është dilema e vetme”, tha Hodgson, i cili është i lumtur me shumë emra të rinj që po shkëlqejnë.
“E di që në kampionatin anglez ka shumë lojtarë të huaj, por ka gjithashtu edhe shumë anglezë të mirë. Javën e kaluar ishin 7 anglezë që luanin për Mançester Junajtid dhe mos harroni që ata kryesojnë kampionatin”, deklaroi trajneri anglez. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 15:52