Vetëm 4 vite më parë, e gjithë Evropa e njihte emrin e Aleksandër Hleb. Mesfushori bjellorus ishte ylli i Arsenalit dhe më pas edhe i Barcelonës. Por që atëherë, ai ka patur një rënie të frikshme në karrierën e tij dhe ndonëse është ende nën kontratë me katalanasit, askush nuk e dëshiron atë.
Vetë futbollisti 30 vjeçar , i cili po stërvitet me Augsburg derisa të gjejë një skuadër në merkaton e janarit, ka treguar për mediat gjermane se cila ishte arsyeja e këtij dështimi spektakolar.
“Jam i trishtuar sepse kam humbur vitet më të mira të karrierës time, gjë për të cilën duhet të fajësoj vetëm veten. Isha lojtar i Barcelonës por isha i zemëruar sepse nuk aktivizohesha. Ky ishte rrënimi im”.
“Vetëm më vonë e kuptova që forca e asaj skuadre ishte aftësia e individëve për të ndaluar egon e tyre në mënyrë që të viheshin në funksion të suksesit të grupit”, ka treguar Hleb, i cili në katër sezonet e fundit ka luajtur në total 69 ndeshje. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 January 2012 17:47