Granit Xhaka ka hedhur të premten firmën e tij në kontratën pesëvjeçare me Borusia Mynshengladbah, duke kaluar në kampionatin gjerman të futbollit. Me transferimin që mendohet se ka kushtuar rreth 8.5 milionë euro, ish-futbollisti i Bazelit është bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e Borusia Mynshenglabah.
Kjo shumë është relativisht e lartë për futbollistin 19 vjeçar, por jo sipas trajnerit të kombëtares zvicerane të futbollit, Otmar Hitzfeld, i cili mendon se Mynshengladbah ka bërë lëvizjen e duhur.
“Graniti është jashtëzakonisht i pjekur për moshën dhe ka aftësi të mira teknike. Ai zhvillon një lojë inteligjente, e lexon mirë fushën e lojës dhe gjithmonë përgjigjet saktësisht në situata të ndryshme. Unë shoh shumë ngjashmëri mes tij dhe Bastian Shvajnshtajger, të cilin e aktivizova me profesionistët te Bajern Mynih kur ishte vetëm 18 vjeç”, komentoi trajneri i përfaqësueses zvicerane.
Futbollisti do të ketë mundësinë të shprehë talentin e tij para tifozëve gjermanë që këtë të shtunë, kur do të luajë me kombëtaren e Zvicrës në një miqësore përballë Gjermanisë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 May 2012 10:50