Trajneri i Zvicrës, Otmar Hitzfeld, nuk pret një sanksion nga FIFA pas gjestit antisportiv që bëri ndaj pankinës së Norvegjisë gjatë barazimit 1-1 mes dy skuadrave të premten.
Ish-trajneri i Bajern Mynih i drejtoi gishtin e mesit kolegut të tij norvegjez në minutat e fundit të sfidës, një ngjarje që bëri shumë bujë dhe pritet që të mos kalojë pa ndëshkim, edhe pse trajneri pretendon se kanë qenë vetëm momenti nervozizmi “në përgjithësi”.
“Kishte shumë emocione në këtë ndeshje. Më vjen keq për gjestin, thjesht isha i inatosur se nuk arritëm të merrnim tre pikët. Është gjithmonë e vështirë kur luan kundër 12 lojtarëve”, tha ai, duke iu referuar gjykimit të spanjollit Fernandez Borbalan, i cili sipas tij favorizoi Norvegjinë.
Pikërisht deklaratat kundër zyrtarëve të ndeshjes mund të bëjnë që FIFA të vendosë ndëshkimin e trajnerit zviceran, edhe pse ky i fundit është munduar të minimizojë problemin përsëri, duke deklaruar se nuk kishte asnjë provë që ai kishte përdorur gjeste antisportive kundër ekipit kundërshtar.
“FIFA nuk mund të më dënojë. Unë ia drejtova gishtin e mesit vetes”, tha Hitzfeld, duke lënë të kuptohet që pret të jetë në pankinë në ndeshjen e të martës kundër Islandës.
Një javë më parë, UEFA dënoi me një ndeshje pezullim trajnerin e Montpelje, Rene Zhirard, pasi ky i fundit i tregoi gishtin e mesit trajnerit të Shalke, Hub Stivens, në ndeshjen mes dy skuadrave në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 October 2012 10:01