Ish-trajneri i Bajern Mynih, Otmar Hitzfeld, beson se Bajern Mynih ka skuadrën më të fortë në Evropë në këtë sezon. Gjigandët e Bundesligës kaluan të parët grupin e Ligës së Kampioneve ku ishin edhe Lilë, Valencia e BATE Borisov, ndërsa tani janë vënë përballë Arsenalit në fazën e eliminimit direkt të turneut.
Edhe Borusia Dortmund kaloi grupin e vet, ndërsa trajneri aktual i Zvicrës beson se të dy klubet mund të triumfojnë në Evropë në këtë sezon, edhe pse bavarezët sipas tij kanë një avantazh më të ndjeshëm.
“Sigurisht, shumë gjëra do të varen nga shorti i ardhshëm. Por unë besoj se si Bajern Mynih, ashtu edhe Borusia Dortmund do të fitojnë”, tha Hitzfeld për “Bild. “Përsa i përket kontingjentit të lojtarëve në dispozicion, asnjë skuadër në Evropë nuk është më e fortë se Bajerni”.
Bajern Mynih ishte finalist i edicionit të kaluar të Ligës së Kampioneve duke u mundur me penallti nga Çelsi në finalen e luajtur pikërisht në stadiumin e tyre, “Allianz Arena”. Bavarezët ishin finalistë edhe në edicionin e vitit 2010, kur u mundën nga Interi i Zhoze Murinjos. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 December 2012 13:01