Media sportive në Kinë ka hedhur dyshime të mëdha për manipulimin e ndeshjes së futbollit mes Kinës dhe Tajlandës, ku këta të fundit fituan në transfertë me rezultatin 5-1, edhe pse kishin hedhur në fushë praktikisht formacionin e dytë.
Sinjalet e tentativës së mundshme të manipulimit vijnë nga fakti se një kompani e njohur aziatike bastesh me qendër në Makao, “Macauslot”, mbylli bastet për ndeshjen vetëm një minutë para se Tajlanda të shënonte golin e parë në këtë sfidë, duke cilësuar si shkak problemet teknike në faqe, ndërkohë që mund të viheshin baste rregullisht në ndeshje të tjera.
Nëse bastet do të kishin vazhduar, kompania mund të kishte humbur shifra të pabesueshme, pasi në ato momente, humbja e Kinës me 4 gola diferencë kishte koeficientin 600.
Mediat kineze janë ndarë mes atyre që akuzojnë skuadrën për manipulim rezultati në favor të basteve dhe atyre që shohin këtë si tolerim të lojtarëve thjesht për inat të trajnerit spanjoll Kamaço, i cili nuk ka krijuar një raport të mirë me futbollistët. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 June 2013 14:00