Lojërat Olimpike nuk kanë filluar ende por sporti, në veçanti ai spanjoll, është tronditur rëndë nga disa e-mail të publikuara në gazetën sportiv “AS”. Këto e-mail janë një bashkëbisedim mes atletit të garës së 3 mijë metrave me pengesa, Angelo Mujera, i cili i kërkon përgatitësit të tij atletik se si duhet të veprojë me substancat e palejuara që po merr, duke përmendur qartësisht dy prej tyre, Mircera e Dynepo, të dyja lloje eritropoietine, të njohur shkurtimisht si Epo.
“AS” ka publikuar e-mail që i përkasin viti të kaluar, kur ai merrte pjesë ne Botërorin e Koresë por kërkon informacione për vitin 2012 ku pritej të merrte pjesë në Evropianin e Helsinkit.
“Në fillim të qershorit duhet të jem në formë. Dy javë para garës nuk duhet të marr më Mircera, apo jo? Po nëse më bëjnë një kontroll surprizë të urinës çfarë ndodh?”, pyet ai i shqetësuar.
Përgatitësi i tij bën një deklaratë edhe më të bujshme në përgjigjen që i dërgon atletit në fjalë. “Fillo me një hormon rritje, i cili nuk shfaqet në kontroll. Janë kanoistet spanjolle që e përdorin në të gjitha turnetë e rëndësishëm… dy muaj para se të përdorin Mircera”, thotë ai që më pas i bën një përshkrim të hollësishëm me gramatura dhe peshë trupore se si duhen marrë substancat palejuara në mënyrë që të ndihmojnë sa më shumë për të fshehu gjurmët e Epo.
“Praktikisht mund të kalosh nga vendi i fundit te medalja olimpike”, është deklarata e tij bombë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 July 2012 12:25