E ardhmja e Masimiliano Alegrit është e lidhur me ndeshjen ndaj Xhenoas të shtunën, duke hedhur gjithnjë e më shumë dyshime rreth trajnerit aktual të kuqezinjve. Humbja me Malagan në Ligën e Kampioneve duket se ka bindur drejtuesit e skuadrës që të shohin përpara dhe të mendojnë për një zëvendësues të trajnerit aktual, i cili me sa duket nuk është në gjendje të bëjë mrekulli me kontingjentin ekzistues.
Si rrjedhojë, vazhdojnë të dalin në skenë emra zëvendësuesish të mundshëm, duke filluar nga Frank Rajkard. Ish-trajneri i Holandës e Barcelonës është një emër shumë i njohur për Milanin pasi ka qenë pjesë e skuadrës në vitet më të lavdishme të këtij klubi.
Megjithatë, Milan ka vendosur të presë deri të shtunën, ditën kur do të luajë me Xhenoan dhe ku fillon një seri ndeshjesh që në letër favorizojnë kuqezinjtë. Jo rastësisht, skuadra është lënë në grumbullim deri të shtunën, e cila shihet si dita e “rinisjes” për ekipin.
Klubi vetë nuk do të dëshironte kurrë që të largonte trajnerin në mes të sezonit, por një disfatë e mundshme me Xhenoan mund të mbyllë përfundimisht raportin me Alegrin, të cilin tifozët e shohin si një prej arsyeve kryesore të largimit të disa prej veteranëve që në këto momente mund t’i shërbenin ekipit si Nesta, Gatuzo e Sedorf.
Mediat shumë pranë familjes Berluskoni konfirmojnë se ka patur kontakte me Frank Rajkard, por për të bindur këtë të fundit duhet një sforco shumë e rëndësishme, sidomos në aspektin ekonomik. Aktualisht, holandezi drejton kombëtaren e Arabisë Saudite dhe ka një kontratë deri në vitin 2014, nga e cila merr 11 milionë euro neto në vit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 October 2012 17:58