Gonzalo Higuain është goditja e madhe e merkatos së verës që po përgatit Juventus. Lajmin e ka bërë të ditur vetë babai i futbollistit argjentinas, i cili është njëkohësisht edhe menaxheri i tij.
“Interesi i bardhezinjve është një nder. Tani Gonzalo po mendon për Madridin, por në maj do të ulemi në bisedime”, ishin fjalët e Horge Higuain për “Tuttosport”. “Sezoni po hyn në pjesën vendimtare dhe Gonzalo po mendon të fitojë kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampioneve. Interesimi i Marotës (drejtori sportiv i Juventus) ka filluar që një vit më parë, por Gonzalo preferoi të qëndronte në Madrid. Tani, interesimi i një klubi si Juventus të bën krenar. Në maj, bashkë me djalin tim do të ulemi dhe analizojmë situatën dhe do të jemi të gatshëm të flasim me Juventusin”, ishin fjalët e tij.
Horge Higuain ka konfirmuar të njëjtën gjë edh për gazetën spanjolle “Marca”. “Nuk ka pse të duket e pazakontë që klube si Juventus të kërkojnë sulmuesin më rezultativ në Evropë. Por nuk janë vetëm bardhezinjtë, janë edhe shumë klube të tjera”, siguroi ai për gazetën spanjolle.
Higuain ka një mesatare të frikshme golash, pasi ka shënuar 16 të tillë në kampionat, në vetëm 1117 minuta të luajtura, që do të thotë se ai shënon një gol për çdo 70 minuta në fushë. Largimi i tij është i mundur pasi te Reali ai nuk po gjen më hapësirat e duhura dhe ka përfunduar zëvendësues i Karim Benzema. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 March 2012 18:03