Trajneri i Anzhi Makhashkala, Gus Hidink, ka lajmëruar se ai ka ndër mend t’i japë fund karrierës së trajnerit në fund të sezonit. 66 vjeçari pranoi të merrte drejtimin e klubit rus në muajin shkurt të këtij vitit, duke firmosur një kontratë 18 vjeçare, ndërsa ka bërë të qartë se nuk do të kërkojë një eksperiencë tjetër në përfundimin e saj.
“Nuk po planifikoja të qëndroja te Anzhi për një periudhë më të gjatë. Edhe nëse arrijmë në Ligën e Kampioneve, mendoj të largohem pas këtij sezoni. Tani jam 66 vjeç dhe mund të them se është mjaftueshëm edhe kaq për mua”.
Trajneri ka bërë të qartë se nuk dëshiron të kthehet në një nga trajnerët që shëtitin nga një klub në tjetrin kur i afrohen fundit të karrierës së tyre. “Duhet të kujdesesh shumë për imazhin tënd si trajner. Nuk dua që njerëzit të thonë për mua: ‘Ja, prap ky!’”, ishte komenti i holandezit.
Gus Hidink cilësohet si një nga trajnerët më të mirë dhe më të suksesshëm të viteve të fundit në futbollin botëror. Gjatë karrierës së tij ai ka drejtuar ekipe me emër si PSV, Fenerbahçe, Valencia, Real Madrid e Çelsi. Ndërkohë, ai ka qenë edhe në drejtimin e kombëtareve të ndryshme, duke filluar nga Holanda, për të vazhduar me Korenë e Jugut, Australinë, Rusinë dhe Turqinë. Holandën dhe Korenë e Jugut ai ka arritur t’i çojë deri në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror, ndërsa me Rusinë ka mbërritur deri në gjysmëfinalet e Kampionatit Evropian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 November 2012 18:50