Tierri Henri është kthyer përsëri te Arsenali, duke bërë të rilindin zërat për një huazim tjetër njëmujor në radhët e ekipit londinez. Futbollisti francez u rishfaq në fushën stërvitore të Kolnei të premten, pasi kërkon të qëndrojë në formë sportive para fillimit të sezonit të MLS në SHBA.
Por trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka pranuar se nuk ka humbur interesin ndaj ish-sulmuesit të tij të preferuar dhe vazhdon të marrë në konsideratë idenë e huazimit të tij.
“Interesimi im ndaj tij nuk është zhdukur. Ai vazhdon të stërvitet me ne. Në aspektin personal, jemi shumë të afërt. Ai ka pasur një kthim të suksesshëm në këtë klub herën e kalaur, por të dy palët tashmë janë të kujdesshme që të mos e teprojnë me këto eksperienca”.
“Nuk e kam përjashtuar si opsion por të them të drejtën, nuk e kam diskutuar aspak këtë temë me të”, tha trajneri francez i “topçinjve”.
Henri shënoi golin e vetëm të fitores ndaj Lids në janarin e kaluar, në takimin e Kupës FA, ndërsa më pas shënoi edhe golin e fitores 2-1 ndaj Sandërlend në kampionat. (LajmeShqip.com)
Saturday, 29 December 2012 11:11