Tierri Henri i ka hapur derën mundësisë për një tjetër kthim në radhët e Arsenalit në të ardhmen, ndërsa ka shtuar se është shumë i mërzitur sa herë që dëgjon kritikat në adresë të Arsen Venger.
Sulmuesi që aktualisht luan për Nju Jork Red Bulls në MLS, është rekordmeni i golave me Arsenalin, ndërsa ka luajtur më shumë se 250 ndeshje me fanellën e kësaj skuadre gjatë viteve të tij aty. Duket se 35 vjeçari francez nuk ndahet lehtë nga klubi ku u bë i famshëm.
“Ajo që di me siguri pas eksperiencës në MLS është se do të jem përsëri në botën e futbollit si lojtar dhe shpresoj që të jem te Arsenali, pasi zemra më çon aty, ajo është skuadra me të cilën jam tifoz. Harroni se ku kam qenë lojtar, ajo është skuadra me të cilën jam tifoz”.
“Në çdo formë apo mënyrë, do të ishte fantastike nëse do të kthehesha në këtë klub, por tani gjërat nuk janë në dorën time. Më mbeten ende dy vite në SHBA dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Henri që duket se nuk ka ndër mend të largohet shpejt nga futbolli i luajtur.
Ndërkohë, ai i ka bërë thirrje të gjithë atyre që kritikojnë Arsen Venger që të mos vazhdojmë më me një sjellje të tillë.
“Kur ti nuk fiton, njerëzit do të vënë gjithmonë në dyshim punën tënde, trashëgiminë tënde dhe atë që ke bërë më përpara. Është e trishtueshme por kështu është ndërtuar kjo lojë. Për mua është shumë e vështirë të dëgjoj dhe të shoh gjëra të tilla, pasi për mua trajneri do të jetë gjithmonë Arsen Venger”, tha sulmuesi francez. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 February 2013 14:04