Jup Heinkes ka bërë të qartë se mendon se nuk ka arsye për ta cilësuar atë një hero, ndonëse Bajern Mynih po shkëlqen si në kampionatin gjerman, ashtu edhe në Evropë. Bajerni ka siguruar prej kohësh titullin në Gjermani, me rekorde të njëpasnjëshme, ndërsa me 25 maj luan në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Borusia Dortmund.
Por trajneri që do të zëvendësohet në fund të këtij sezoni nga Pep Guardiola, nuk ka pranuar etiketën “speciali” që i vuri një ditë më parë shefi ekzekutiv i klubit, Karl Hainz Rumenige.
“Janë njerëz të tjerë që bëjnë gjëra më speciale se unë. Infermierët, zjarrfikësit, punonjësit e ambulancave, njerëz që sakrifikojnë veten, apo ushtarët në Afganistan që kanë humbur jetën apo janë dëmtuar fizikisht apo psikologjikisht. Këta janë njerëzit special”.
“Sigurisht, ne kemi kaluar një sezon special, që është shumë e kënaqshme. Por unë kam një pamje më të sofistikuar mbi jetën”, u shpreh trajneri i bavarezëve, që po mundohen të bëhen skuadra e parë gjermane që arrin brenda të njëjtit sezon të fitojë kampionatin, Kupën dhe Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 May 2013 19:45