Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, i është kundërpërgjigjur publikisht Luis Van Gal, i cili pak ditë më parë akuzoi drejtuesin më të lartë të bavarezëve si shkaktarin kryesor të shkarkimit të tij. Trajnerit aktual të Holandës nuk i ka pëlqyer mënyra se si është larguar nga skuadra të cilën e drejtoi në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2010.
“Kur shoh fjalët e Van Gal, atëherë më duhet të them se ai thjesht nuk e kupton se çfarë kërkohet në këtë profesion. Pjesë e kësaj pune është të prekësh tema të dhimbshme kur zbulon se ka probleme. Dhe kur e kupton që nuk ka progres, atëherë duhet të marrësh masa”, tha ai, duke iu referuar shkarkimit të holandezit, ndërsa pretendon se i ka dhënë mundësi të mjaftueshme trajnerit që të ndryshonte situatën në klub.
“Kur shoh se gjërat nuk funksionojnë dhe pasi i dhashë pesë herë mundësinë të ndryshojë, gjërat vazhdojnë të mos funksionojnë, atëherë më duhej të merrja vendime edhe kundër individit për të mbajtur në këmbë skuadrën”, u shpreh Hënes, duke akuzuar në mënyrë direkte holandezin për rënien në nivelin e lojës së bavarezëve që në dy sezonet e fundit u kaluan në kampionat nga Borusia Dortmund. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 November 2012 21:17