Përfshirja e Uli Hënes, presidentit të Bajern Mynih, në një evazion fiskal prej dhjetëra miliona eurosh, ka dëmtuar rëndë imazhin e klubit të saposhpallur kampion në Gjermani. Për më tepër, kjo çështje ka kthyer në “armik publik” vetë Hënes, i cili vlerësohej si një nga mbështetësit më të afërt të kancelares Angela Merkel., por që tashmë injorohet nga drejtuesja e shtetit gjerman.
“Kam bërë një gabim shumë idiot, një gafë të madhe që po mundohem ta korrigjoj sa më mirë që të jetë e mundur. Po kap veten në shpulla për këtë çështje. E di që kam gabuar rëndë por nuk jam një njeri i keq,”, ishte justifikimi i Hënes për mediat gjermane pasi kanë filluar aludimet se ai rrezikon një periudhë të gjatë në burg.
“Më duket sikur më kanë katapultuar në anën tjetër të shoqërisë brenda pak ditësh, duket sikur nuk i përkas më njerëzve të rregullt. Nuk e imagjinoni çfarë situatë po kaloj. Me zor fle natën”, ishte komenti i Hënes, i pari pas 10 ditëve heshtje.
Lajmi se Hënes kishte shkelur ligjet ka bërë mjaft bujë në Gjermani, pasi ai jo vetëm njihej si një ish-futbollist i zoti, një biznesmen i aftë dhe një drejtues klubi i shkëlqyer, por edhe për miqësinë e ngushtë me Angela Merkel, duke e mbrojtur atë publikisht në shumë situata dhe duke qenë një nga përkrahësit më të zjarrtë. Por kjo marrëdhënie mes tyre nuk ekziston më.
“Shpresoj të kem rastin t’i flas asaj privatisht dhe t’i shpjegoj se si ndodhi gjithçka”, ishte apeli i Hënes, i cili gjatë viteve të fundit, në debate sportive, publike e politike, ka qenë një nga ata që flisnin më ashpër kundër evazionit fiskal, duke harruar për disa momente se ishte pikërisht ai që i kishte fshehur shtetit gjerman disa dhjetëra miliona euro. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 01 May 2013 18:51