Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, është kthyer në objektin kryesor të një hetimi të policisë financiare në Gjermani, pasi ka fshehur prej shumë vitesh të ardhurat e tij reale në llogari bankare në Zvicër.
Sipas asaj që është zbuluar nga mediat gjermane, Hënes, i cili shpesh “predikonte” për futboll të pastër ku financat e të gjitha klubeve duhej të kontrolloheshin rreptësisht, për vete ka shmangur pagimin e taksave për një pjesë të madhe të pasurisë së tij. Bëhet fjalë për rreth 20 milion euro që janë zbuluar në një llogari të tijën në Zvicër, para për të cilat ai nuk ka paguar asnjëherë asnjë lloj takse.
Kjo praktikë ka filluar që 13 vite më parë, atëherë kur ish-presidenti i kompanisë së artikujve sportiv, “Adidas”, Robert-Luis Dreifus, mori para borxh nga Hënes, i cili ka një biznes të tijin mjaft të suksesshëm. Për të evituar pagesën e taksave për çdo transaksion mes tyre, ata hapën këtë llogari në Zvicër, ku tashmë gjenden rreth 20 milion euro, ndërsa llogaritet që transaksionet mes të dyve në hyrje-dalje nga kjo llogari arrijnë në shumën 400 milion euro gjatë këtyre viteve.
Për momentin presidenti i Bajernit ka siguruar se nuk i shkon ndër mend të japë dorëheqjen nga posti i tij në drejtimin e klubit, por sipas mediave gjermane, largimi i tij duket i pashmangshëm pasi një seance gjyqësore e presidentit do të dëmtonte rëndë imazhin e klubit. (LajmeShqip.com)
Monday, 22 April 2013 10:14