Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, i ka bërë thirrje Mishel Platini të tregojë se rregullat që janë vendosur për Fair Play Financiar (FPF) nuk janë kot dhe se klubet e mëdha që i shkelin ato duhen ndëshkuar.
“Nëse Platini dëshiron të respektojë fjalën e dhënë, atëherë duhet që në vitet e ardhshme të përjashtojë nga Liga e Kampioneve dy klube të mëdha që të tregojë forcën. Tani ai po i përdor këto rregulla për të larguar një skuadër që nuk ka peshë, Malagan”, tha drejtuesi i Bajernit duke iu referuar implementimit të kësaj rregulloreje dhe faktit që skuadra spanjolle është dënuar me mospjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm në Kupat e Evropës pasi ka thyer rregullat e vendosura nga UEFA mbi shpenzime më të larta se fitimet e klubit.
Sipas shumë ekspertëve, shembulli i Malagas është përdorur vetëm për t’i mbyllur gojën njerëzve, pasi Platini nuk dëshiron të dënojë klube të tjera të mëdha të cilat bëjnë shkelje edhe më të bujshme se ato të sheikut që zotëron klubin spanjoll.
“Jam kureshtar të shoh se si do të veprohet me klubet që shkelin në mënyrë të vazhdueshme këtë rregullore. Do të ndjek me vëmendje se si do të veprojë Platini me miqtë e tij në Paris, Milano apo Angli me Mançester Sitin, në një klub apo një tjetër ku borxhet kanë shkuar në treçerek miliardi euro”, shtoi Hënes.
Batuta e drejtuesit gjerman i referohet sidomos faktit se Loren Platini, djali i presidentit të UEFA-s, kohët e fundit është punësuar nga “Qatar Sports Investments”, kompania që ka në pronësi PSZH. Klubi parisien ka filluar të nënshkruajë kontrata të dyshimta për të mbuluar shpenzimet absurde të dy viteve të fundit, duke i cilësuara ato paravepruese për të anashkaluar në këtë mënyrë rregulloren e FPF. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 April 2013 18:37