Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, ka bërë të qartë se trajneri i bavarezëve, Jup Heinkes, mund të vazhdojë të drejtojë skuadrën edhe pas përfundimit të kontratës aktuale që mbyllet në këtë sezon.
Mediat gjermane kanë aluduar shpesh se klubi nuk do të rinovojë më kontratën e 67 vjeçarit, por vetë presidenti i skuadrës gjermane mendon se duhet marrë një vendim kolektiv para se drejtori teknik Matias Samer të fillojë të kërkojë për një zëvendësues të mundshëm.
“Matias Samer nuk ka nevojë të shohë për një trajner të ri për momentin pasi ne nuk e dimë realisht nëse na nevojitet një i tillë”, tha ai për “Sky Sports”. “Askush këtu nuk e përcakton i vetëm të ardhmen e Bajern, në të kundërt, ne i marrim vendimet e duhura të gjithë bashkë. Vendimi përfshin edhe atë të qëndrimit për një tjetër vit të Jup Heinkes”.
Mendohet që një nga arsyet kryesore që vetë trajneri të mos pranojë rinovimin janë mosmarrëveshjet e tij me drejtorin teknik Matias Samer, i cili ka fituar shumë pushtet në klub ndonëse ka pak muaj në detyre. Por Hënes i sheh të gjitha këto si trillime të qëllimshme të shtypit që dëshiron të krijojë konflikt.
“Media është munduar që të krijojë një hendek mes të dyve që në ditën e parë të punës. Me disa raste ia kanë arritur qëllimit, por si përfundim nuk do të arrijnë të prishin marrëdhënien mes tyre”, deklaroi presidenti i Bajern Mynih. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 October 2012 10:50