Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, insiston se nuk ekziston asnjë mundësi që Jup Heinkes t’i bashkohet skuadrës së Shalkes pasi të largohet nga bavarezët në fund të këtij sezoni. Rivalët historikë të Bajernit aktualisht drejtohen nga trajneri i përkohshëm Jens Keller, pas shkarkimit të Hub Stivens në dhjetor dhe në mediat gjermane është përmendur shpesh emri i Heinkes si alternativa më e mundshme për sezonin e ardhshëm, kur ai do t’i lërë vendin Guardiolës në stolin e bavarezëve.
“Asnjëherë! Asnjëherë!”, ishte reagimi i Hënes rreth kësaj çështje. “Jup do të tregohej budalla. Përse duhet të shkojë ai atje pas një sezoni të tillë? A e dini çfarë, Jup nuk ka më nevojë të bëjë asgjë. Kush e ka merituar pensionin më shumë se ai?”, deklaroi presidenti i Bajernit, i cili la të kuptonte se trajneri aktual mund të mbetej në klub me një rol tjetër.
“Ne kemi disa ide, por do të flasim rreth tyre në fund të këtij sezoni”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Friday, 22 February 2013 10:09