Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, ka pranuar se Pep Guardiola i ka kërkuar klubit që të blejë Neimar, por zyrtarët e bavarezëve ia kishin refuzuar këtë kërkesë trajnerit duke i treguar eksperiencat e mëparshme aspak të lumtura me futbollistë brazilianë që kishin mbërritur në moshë të re në Gjermani.
“Guardiola na kërkoi që të blinim një lojtar të ri brazilian, por ne e këshilluam të mos e bënte një gjë të tillë. E dimë nga eksperienca të kaluara se lojtarët e rinj brazilianë kalojnë probleme te mëdha me përshtatjen kulturore dhe klimatike në Gjermani. Nëse për një lojtar të tillë paguan 20-230 milion euro, apo më shumë, atëherë situata bëhet e komplikuar për klubin”, shpjegoi Hënes.
Nëse në Gjermani mbërritja e tij shihet më shumë si një dështim i mundshëm, legjenda e futbollit brazilian, Pele, mendon se Neimar do të shkëlqejë të Barcelona dhe do t’i shërbejë më shumë përfaqësueses të këtij vendi.
“I uroj më të mirën atij te Barcelona, atje do të vihet përballë sfidash dhe eksperiencash të rëndësishme. Ajo që do t’i ofrojë klubi i tij i ri, do ta ndihmojë me Brazilin në Kupën e Botës”, ishte komenti i Pele. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 19:05