Luis Hemilton ka kaluar të gjitha parashikimet me makinën e re Mercedes, duke hedhur kandidaturën për një vend mes pretendentëve të titullit të Formula 1 në sezonin e ri. Piltoi britanik mbylli testimet para-sezonale duke vendosur një rekord të ri në pistën e Montmelo në Barcelonë.
Xhiroja e tij ishte më shumë se një sekondë më e shpejtë se ajo që vendosi një vit me parë me MekLaren, kohë që i dha përkohësisht pole-position për garën spanjolle para se të përfundonte në fund të rreshtit në vijën e nisjes pas disa problemeve teknike.
Koha e tij ishte më e shpejtë edhe se rekordi i vendosur nga Kimi Raikonen me Ferrarin në vitin 2008, duke treguar se ka gjetur menjëherë se si të shfrytëzojë potencialin e makinës Mercedes.
“Nëse makina reagon mirë këtu, atëherë ajo do të jetë e mirë edhe në shumë pista të tjera gjatë vitit”, ishte komenti i Hemilton, kampion botë në vitin 2008 me MekLaren. “Mercedes po bën një punë të shkëlqyer me motorin dhe makinën. Është një makinë shumë më e mirë se e vitit të kaluar dhe kam bindjen e plotë se do të jem në gjendje të fitoj të paktën një garë në këtë sezon”, deklaroi britaniku që ka firmosur një kontratë trevjeçare me skuadrën e tij të re. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 March 2013 13:53