Luis Hemilton mund të detyrojë Mikael Shumaker drejt tërheqjes së dytë nga garat e Formula 1, nëse britaniku vendos të kalojë nga MekLaren te Mercedes, pasi Niko Rosberg insiston se ai do të vazhdojë të qëndrojë në radhët e skuadrës gjermane.
Mediat britanike aludojnë prej ditësh se Hemilton është shumë pranë firmës me Mercedes që i ofron një kontratë falë të cilës mund të përfitojë rreth 60 milion paund në tre vitet e ardhshme. Por Rosberg ka sqaruar menjëherë situatën, duke shpjeguar se nuk do të jetë ai personi që do t’i lërë vendin britanikut nëse një gjë e tillë ndodh.
Gjermani ka hedhur poshtë zërat se mund të ndodhë një rokadë me MekLaren, apo ai mund të largohet te Ferrari për t’i zënë vendin brazilianit Felipe Masa.
“Jam me “Shigjetat e Argjendta” (nofka e makinave Mercedes) dhe pres me padurim që të siguroj më shumë fitore në sezonin e ardhshëm. Mos pritni të ndodhin shumë gjëra të tjera deri në momentin kur Shumaker, Masa apo Hemilton të deklarojnë “Jam pjesë e kësaj skuadre”. Gjëja e duhur do të ishte të qëndronte Shumaker. Ne ia kalojmë mirë bashkë dhe konkurrenca mes nesh është e shëndoshë”, tha Rosberg.
Ky i fundit ka mundur vazhdimisht bashkëkombësin e tij si me shpejtësinë në pistë, ashtu edhe me rezultate në të dy sezonet që kanë garuar përkrah njëri-tjetrit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 September 2012 15:01