Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, ka lënë të kuptohet se nuk do t’i japë fund karrierës së tij në stolin e një skuadre edhe pasi të largohet nga ky ekip ku do t’i lërë vendin spanjollit Pep Guardiola. 68-vjeçari ka përdorur si shembull figura të njohura publike për të treguar dëshirën e tij që të vazhdojë në këtë profesion, pavarësisht spekulimeve të shumta rreth tij.
“Kur mendoj për ish-kancelarin gjerman Konrad Adenauer që mori detyrën në moshën 71 vjeçare, apo për Papën e ri që është 76 vjeç, atëherë them se kam ende për të dhënë në moshën 68-vjeçare”, tha trajneri për “Liga Total”.
“Nuk do ta pranoj rolin e drejtuesit që më kanë propozuar te Bajerni. Por të ardhmen time do ta tregoj vetëm pas përfundimit të sezonit”, shpjegoi Heinkes, të cilit duket se nuk i ka pëlqyer shumë mënyra se si është mënjanuar nga Bajerni.
Megjithatë, tekniku duket i përqendruar 100% te skuadra e tij dhe mënyra se si ajo reagoi duke fituar 2-1 ndaj Leverkusenit, pas asaj humbje në mesjavë kundër Arsenalit që vuri në diskutim forcën e kryesuesve të kampionatit gjerman.
“Fitorja më gëzoi mua më shumë se të gjithë të tjerët. Jemi shumë të lumtur. Kjo ndeshje ishte shumë e vështirë pas asaj disfate në Ligën e Kampioneve. Luajtëm shumë mirë në pejsën e parë dhe kishim përkushtim. Kuptohet që ishim më të lodhur pas pushimit por përpjekja e skuadrës u shpërblye”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 17 March 2013 09:53