Jup Heinkes pretendon se “e gjithë bota” interesohet për të siguruar shërbimet e tij pasi ai të largohet në fund të këtij sezoni nga Bajern Mynih. 68 vjeçari do t’i lëshojë vendin Pep Guardiolës pas tre ndeshjesh, të fundit në kampionat ndaj Borusia Mynshengladbah, finalen e Ligës së Kampioneve dhe finalen e Kupës së Gjermanisë.
“E gjithë bota më ka kontaktuar dhe kërkojnë të sigurojnë shërbimet e mia edhe pse për momentin jam ende nën kontratë. Por unë jam i përqendruar vetëm te finalja e Ligës së Kampioneve dhe jo te negociatat për të ardhmen time”, ishte deklarata e tij para ndeshjes së fundit të kampionatit. “Ishte një nder i jashtëzakonshëm të punoja këtu dhe një argëtim po aq i madh”.
Ndonëse emri i tij është përfolur si një alternativë e mundshme për pankinën e Real Madrid apo PSZH, Heinkes ka bërë të qartë se personalisht mendon që të qëndrojë në Gjermani, për shkak edhe të faktit se tashmë është 68 vjeç.
“Kur isha 10 apo15 vjet më i ri, mund të kisha menduar për një përkushtim afatgjatë jashtë Gjermanisë. Por tani duhet të kujtoheni se nuk jam më aq i ri”, tha Heinkes duke i mbyllur kështu derën një transferimi të tij jashtë Gjermanisë pas largimit nga Bajern Mynih. (LajmeShqip.com)
Saturday, 18 May 2013 09:22