Eden Hazard më në fund ka treguar se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, duke pranuar se do të transferohet te Çelsi, në një marrëveshje që pritet të kushtojë rreth 32 milion paund për fituesit e Ligës së Kampioneve në fuqi.
Hazard e bëri lajmërimin e tij në Twitter, për t’i treguar fansave të shumtë që e ndjekin se më në fund kishte zgjidhur të gjitha dyshimet rreth të ardhmes dhe se kishte vendosur për ekipin londinez, e jo për një nga dy ekipet e Mançesterit, ndonëse kishte akord edhe me këto dy skuadra.
Sapo të finalizohen detajet, mesfushori belg 21 vjeçar, do të udhëtojë drejt Londrës për të nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me klubin e tij të ri.
Kjo është një goditje e rëndësishme e merkatos për klubin, pasi Roman Abramoviç nuk ka caktuar ende një trajner, por po bën maksimumin për të përforcuar radhët e skuadrës së tij për sezonin e ardhshëm.
Tani sulmi i Çelsit pritet të formohet nga Fernando Torres, i mbështetur nga treshja e mesfushorëve ofensivë Huan Mata, Eden Hazard dhe Mario Marin. Ndërkohë, klubi ka rifilluar bisedimet me Solomon Kalu, të cilin kërkon ta mbajë përsëri ndonëse kontrata e lojtarit ka përfunduar. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 09:20