Sulmuesi i Lilë, Eden Hazard, ka shtuar zërat rreth të ardhmes së tij duke aluduar për një transferim te një nga rivalët e mëdhenj në Angli, Mançester Junajtid dhe Mançester Siti. 21 vjeçari ka qenë në stadium për të parë derbin e të hënës dhe një nga këto dy klube duket se është më pranë sigurimit të firmës nga ana e tij.
I pyetur nëse atij i pëlqen më shumë ngjyra e kuqe apo ajo blu, Hazard tregoi për “Canal+”: “Më pëlqejnë të dyja. Janë të dyja ngjyra të bukura dhe mendoj se më përshtaten mirë”.
Kjo deklaratë duket se nuk do të kënaqë shumë Mançester Sitin, që është një hap para në marrëveshjen për të siguruar shërbimet e lojtarit. Sipas asaj që bën të ditur “Daily Mail”, ky klub ishte ai që ftoi lojtarin të shihte derbin, ndërsa i bënë edhe një xhiro të klubit si dhe i treguan banesën e tij të mundshme nëse do të zgjidhte t’i bashkohej skuadrës së Mançinit.
Gjithsesi, problemi kryesor mbetet pagesa e lartë që kërkon Lilë për të lënë të lirë futbollistin 21 vjeçar, rreth 35 milionë euro. Asnjë nga dy skuadrat e Mançesterit nuk është dakord me këtë shumë dhe për këtë arsye, marrëveshja rrezikon të dështojë, ndërsa Çelsi e Totenhemi presin me padurim të hyjnë në garë për lojtarin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 08:03